
Me shumë mundësi të gjitha e dimë si është të zgjohesh pas një ëndrre të çuditshme. Edhe pse ëndrrat janë shumë personale, shumë prej tyre janë universale sepse tregojnë emocione që të gjithë ne i ndjejmë (frikë, stres dhe gëzim).
Ëndrrat në vijim janë 7 më të zakonshmet, siç kanë identifikuar ekspertët e ëndrrave. Zbulo çfarë kuptimi kanë.
Tradhëtia
Pak ëndrra janë aq turbulluese sa ato ku partneri yt është jobesnik. Para se t’i rrish me turinj partnerit tënd, lexo deri në fund. Këto ëndrra nuk tregojnë domosdoshmerisht që po të tradhtojnë (!) Në vend të kësaj, ti mund të jesh duke u përballur me frikën nga braktisja ose ndoshta mund të jesh duke u ndjerë e lënë pas dore prej tij.
Sikur bie
Kur rrëzohesh në ëndrrat e tua, me siguri je duke u përballur me diçka stresuese në jetën reale. Këto ëndrra zakonisht tregojnë që një aspekt i jetës tënde ka marrë tatëpjetën. Gjithashtu, mund të jenë reflektim i humbjes së kontrollit ose ndjenjës së turpit.
Të bie dhëmbi
Kur ëndërron sikur të bie dhëmbi, me shumë gjasa po përjeton tepër stres. Këto ëndrra janë të lidhura me ndjenja ankthi ose me ndjesinë e pafuqisë dhe mungesës së kontrollit. Gjithashtu, mund të reflektojnë pendimin tënd pasi ke thënë diçka që nuk do doje ta kishe thënë. Por jo vetëm kaq: këto lloj ëndrrash mund të kenë të bëjnë më pasiguritë mbi pamjen tënde ose të kenë një domethënie seksuale.
Sikur po të ndjekin
Herën tjetër që do jesh duke ia mbathur në ëndërr, pyete veten: Çfarë po shmang? Shpeshherë, këto ëndrra tregojnë mbi diçka që t’i po përpiqesh ta shmangësh, siç mund të jetë një bisedë e çuditshme ose fatura të papaguara. Personi ose gjëja që po të ndjek mund të të ofrojë të dhëna shtesë mbi origjinën e ëndrrës tënde.
Sikur po bën provim
Ndonëse mund ta kesh përfunduar shkollën vite më parë, mund të shohësh në ëndërr sikur bllokohesh në një provim. Zakonisht këto ëndrra përkojnë me ngjarje stresuese ose reflektojnë ndjenjat e tua e të qënit e papërgatitur për diçka në realitet. Për më tepër, mund të tregojnë një vetëbesim të luhatshëm ose ndjenjë pamjaftueshmërie. Këto mund të jenë më të shpeshta te njerëzit që tregohen të ashpër me veten.
Sikur je lakuriq
Zakonisht këto ëndrra pasqyrojnë ndjesinë e të qënit e papërgatitur. Disa besojnë se ëndrra me lakuriqësi mund të shfaqin ndjesitë e turpit apo të cënueshmërisë. Kështu, këto ëndrra mund t’i shohësh pasi je ndjerë e tallur në jetën reale. Nga ana tjetër, një interpretim i zakonshëm është se ëndrrat ku je lakuriq tregojnë ndjenja lirie.
Vdekja
Të ëndërrosh sikur vdes mund të jetë turbulluese, por sipas shumë interpretimeve, nuk ka asgjë për t’u frikësuar. Besohet se vdekja në ëndërr përfaqëson transformimin. Nëse ke kohë që e dëshiron një fillim të ri, mund të ëndërrosh sikur vdes. Sigurisht, këto ëndrra mund të reflektojnë dhe shqetësime që i mban të mbyllura në vete, aggression apo zemërim.

